Escbobar dhe Lajçak në Këshillin Atlantik do të diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të martë do të jenë pjesë e një diskutimi për dialogun Kosovë – Serbi, në Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik.

Në njoftimin e Këshillit Atlantik, thuhet se dialogu në mes të dy shteteve, është në rrezik pas tensioneve në veri të Kosovës.

“Progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim përmendet edhe kidnapimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

“Më 14 qershor, forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës, duke akuzuar njëri-tjetrin për kalime të paligjshme kufitare. Si kundërpërgjigje, kryeministri i Kosovës Kurti ka ndaluar hyrjen në territor të automjeteve me targa serbe. Më herët, popullsia shumicë serbe në veri të Kosovës bojkotoi zgjedhjet lokale komunale në prill për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth targave të veturave, duke rezultuar në fitoren e kandidatëve shqiptarë të Kosovës me vetëm 3.5 për qind pjesëmarrje në votues. Protestat shpërthyen kur katër kryebashkiakë, nën mbrojtjen e posaçme të policisë, hynë në ndërtesat komunale dhe disa ditë më vonë u shkaktuan lëndime trupave paqeruajtëse të NATO-s”, thuhet në njoftim.

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak do të bashkohen me Këshillin Atlantik për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në rajon, dialogun Beograd-Prishtinë, bashkëpunimin SHBA-BE në rajon dhe si të sigurohet zbatimi i marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit.