Escobar: Nuk i kam dhënë afate Kosovës për tri kërkesat tona

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi nga Beogradi se nuk i ka dhënë afate Kosovës, siç është raportuar një ditë më parë, në lidhje me 3 kërkesat e tyre. Ai paralajmëroi se Asociacioni do të formohet me qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti ose me ndonjë qeveri të ardhshme.

Një ditë më parë u raportua se Escobar i ka dhënë dy ditë kohë Kurtit që të tregojë nëse pajtohet me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, siç janë deeskalimi i situatës në terren, shpallja e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe rikthimi në tryezën e dialogut, por kjo u mohua nga zyrtari amerikan.

“Nuk kam dhënë një afat. Ajo që më pyetën në Prishtinë ishte se cilët ishin hapat e mëtejshëm dhe nga unë dhe z. Lajcak pas kësaj vizite do të kërkohet një përditësim të premten, Shtëpia e Bardhë do të kërkojë nga unë të jap një përditësim se çfarë po ndodh dhe unë duhet të raportojë nëse kemi progres apo jo. Z. Lajcak duhet të shkojë dhe të raportojë te zoti Borrell për të dhënë të njëjtin vlerësim. Pra, nuk është një afat, por ky është hapi tjetër për mua, dhe në bazë të raportit tim, ne do të marrim disa vendime për të ecur përpara, por nuk është një afat për askënd”, deklaroi Escobar.

Escobar deklaroi se nuk e di nëse ka pasur përgjigje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me kërkesat e tyre, por u shpreh se diskutimet do të vijojnë me Bashkimin Evropian edhe pas këtyre vizitave.

“Mendoj se diskutimet mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit special të BE-së do të vazhdojnë edhe pas largimit të tij sot nga Beogradi. Pra, nuk e di nëse ka pasur ende një përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës, shpresoj që Qeveria e Kosovës e pranon se ajo që po përpiqemi të arrijmë është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet”, vijoi Escobar.

Escobar deklaroi se t’i kthesh shpinën këtij propozimi është t’ia kthesh shpinën Evropës, Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuara dhe të gjithë miqve të tjerë, njëjtë tha se mund të cilësohet edhe nëse refuzohet dialogu mes dy vendeve.

“Për sa i përket pasojave, unë e kam nënvizuar njërën që është ajo që tha Bashkimi Evropian, t’i kthesh shpinën një propozimi evropian do të thotë t’i kthesh shpinën Evropës, por më duhet të theksoj se ky nuk është vetëm Bashkimi Evropian, por edhe Mbretëria dhe Shtetet e Bashkuara, dhe si miq të Kosovës ne po i inkurajojmë ata të bashkëpunojnë, të koordinohen dhe të rreshtohen me përpjekjet tona për të prodhuar stabilitet rajonal. Tani ai partneritet është i hapur për Kosovën sa herë që ajo dëshiron, por në të njëjtën kohë, nëse nuk e bëjnë, ata po ndërmarrin një veprim të njëanshëm, duke u larguar nga partneriteti i tyre me komunitetin transatlantik. Tani kjo në vetvete është gjithashtu një pasojë”, tha ai.

Escobar deklaroi se sfida e Serbisë është që të bind serbët të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është të bindë serbët në Kosovë që të kthehen në institucione. Tani këtu mendoj se jemi në të njëjtën anë me Serbinë. Duhet të sigurohemi që ata që marrin pjesë në zgjedhje”, u shpreh Escobar.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor deklaroi se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka premtuar se do të përdorë ndikimin e tij për të bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

“Njëra është që duhet të deeskalojmë situatën menjëherë. Pra, kjo do të thotë se ne shpresojmë që kryetarët e komunave të mos i përdorin ato ndërtesa, që policia e Kosovës të tërhiqet nga rrethinat e ndërtesave, por gjithashtu duam të sigurohemi që edhe protestuesit të largohen nga zona. Përveç kësaj, nëse do të ketë zgjedhje të reja, dhe ne shpresojmë se do të ketë zgjedhje të reja, ne duam që serbët të marrin pjesë pa parakushte dhe presidenti Vuçiq tha se ai do të përdorte ndikimin e tij në përpjekje për t’u rikthyer në zgjedhje”, deklaroi Escobar.

Duke u ndalur tek themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Escobar u shpreh se kjo do të ndodhë, vetëm mbetet për t’u parë nëse me qeverinë e Albin Kurtit apo të dikujt tjetër.

“Unë thjesht po them një fakt, asociacioni është një kërkesë ligjore për qeverinë e Kosovës, është në Marrëveshjen e Brukselit, është në Bashkimin Evropian, në konkluzionet e Këshillit Evropian, është në marrëveshjen e Ohrit, pra nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por është marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara në integrimin e saj euroatlantik, do të duhet të formojë Asociacionin. Pra, Asociacioni do të ndodhë, pyetja është a do të ndodhë me këtë qeveri apo një qeveri të ardhshme?”, tha Escobar.

Escobar u shpreh se shumë gjëra mund të arrihen këtë vit nëse Kosova dhe Serbia fokusohen të zbatimi i marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të dakorduar në Ohër më 18 mars.

Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e rëndësishme për normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ajo përcakton një sërë kushtesh që do të krijonin një marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme midis dy vendeve dhe përshkruan përgjegjësitë që secili ka, në mënyrë që të jetë e vlefshme. Përmbushja e asaj që duhet të realizohet mund të bëhet shumë shpejt, duke përfshirë një marrëveshje për Asociacionin, kështu që ne ende duam t’i shohim të dy palët të bashkohen dhe të fokusohen në planin e zbatimit dhe më pas të fokusohemi në ecjen përpara me Asociacionin. Unë ende mendoj se ne mund t’i kemi të gjitha elementet, shumicën e elementeve, të përmbushura këtë vit kalendarik”, tha Escobar.

Situata në tri komunat veriore të Republikës së Kosovës u tensionuar më 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill u penguan të hyjnë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale dhe hynë vetëm me asisitimin e Policisë së Kosovës. Serbët kundërshtojnë kryetarët e zgjddhur, madje këtë e bëne dhe në mënyrë të dhunshme më 29 maj kur plagosën 30 ushtarë të KFOR-it.