EULEX: Rastet e profilit të lartë procedohen me ritëm të ngadaltë

Laurentiu Dumitrica është një nga 36 pjesëtarët e një njësiti të EULEX-it, që një pjesë të mirë të orarit të punës e kalon në prokurori e gjykata të vendit.

Me përfundimin e mandatit ekzekutiv në mes të vitit të kaluar, misioni evropian, një pjesë të kapaciteteve të tij i ka koncentruar në monitorim të punës së institucioneve të drejtësisë, raporton KTV.

Dumitrica, për to, ka në përgjithësi përshtypje pozitive, përjashtuar këtu aspektin teknik të gjykatave dhe numrin e madh të lëndëve me të cilat ballafaqohen zyrtarët.

“Gjyqësori dhe Zyra e Prokurorit janë të ngarkuara me raste, përfshirë këtu edhe rastet që EULEX-i i kishte bartur. Gjithashtu, edhe kompleksiteti i tyre po rritet, raste janë më të vështira dhe më të ndjeshme, por mund t’ju them se kam parë zyrtarë të motivuar dhe mendoj se shembuj të tillë duhet të promovohen. Kam parë zyrtarë që e marrin shumë seriozisht punën e tyre e që me të vërtetë angazhohen. Por në raste të tjera, gjithashtu kam parë edhe pasivitet ose ndoshta mungesë angazhimi, çka mund të jetë edhe rezultat i numrit të madh të lëndëve”, ka thënë Dumitrica.

Udhëheqësi i këtij njësiti është Hubert van Eck Koster, që tregon se puna e tyre nuk ndalon te monitorimi. Ata edhe po ndihmojnë në identifikimin dhe më vonë adresimin e dobësive të sistemit të drejtësisë.

Sipas tij, rastet e profilit të lartë, më së shumti po zvarriten në gjykata, ndonjëherë edhe pa arsye të qëndrueshme.

“Te rastet e profilit të lartë, në veçanti ato që kanë ardhur nga EULEX-i, shohim ritëm të ngadaltë në mënyrën se si procedohen. Kjo është paksa shqetësuese. Megjithatë, së fundmi, kemi parë se kjo po përmirësohet dhe kemi parë që është rritur numri i seancave. Kjo nënkupton se disa prej këtyre rasteve kanë mbërritur në fund dhe megjithatë kemi parë ndëshkime të ulëta ose edhe vendime shfajësuese”, ka thënë van Eck Koster.

Nga raportet e monitorimit dhe analizat e bëra, një prej çështjeve që ia ka rekomanduar ky njësit Këshillit Gjyqësor, ka pasur të bëjë me seancat joproduktive, për çka Van Eck Koster, thotë se tashmë janë marrë masa nga Këshilli.

Njësiti ka qasje në punën e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.

Van Eck Koster, punën e policisë e konsideron mbresëlënëse, ndërsa më pak të tillë e sheh punën e prokurorisë e gjyqësorit.