Facebooku po punon në sistemin e vet operativ

Në përpjekje për t’u distancuar nga gjigantët e tjerë të teknologjisë, si Google, Facebooku po e zhvillon sistemin e vet operativ (OS), raporton sajti The Information. Në të ardhmen, produktet harduerike të Facebookut, siç janë pajisjet Oculus dhe Portal, do të mund të ekzekutohen në këtë OS, tha zyrtari i Facebookut, Ficus Kirkpatrick, raporton Engadget.

OS do të krijohet nga themeli, ndërsa projektin e udhëheq Mark Lucovsky, një ish-inxhinier i Microsoftit i cili ishte një prej autorëve të sistemit operativ Windows NT, shkruan KOHA Ditore. Facebooku nuk ka treguar se kur mund të arrijë ky OS ose cilat produkte do ta përdorin së pari.

Kjo nuk është hera e parë që Facebooku po mendon ta zhvillojë OS-in e vet. Facebooku në një moment kishte zhvilluar prototipa të një sistemi operativ të personalizuar për Home, por në fund vendosi ta përdorë Androidin.

Puna aktuale e Facebookut në OS është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për ta bërë kompaninë të pavarur. Kompania është duke punuar ende në interfejsin e vet “brain computer”. Facebooku mund ta zhvillojë një variacion, i cili kërkon që njerëzit të bartin byzylykë dhe të mësojnë lëvizje specifike që janë në korrelacion me sinjalet e trurit, ngjashëm me teknologjinë e zhvilluar nga CTRL-labs, kompania të cilën Facebooku e bleu në shtator.

Facebooku po zhvillon gjithashtu një asistent zëri, të ngjashëm me asistentët Siri ose Alexa. Pjesa më e madhe e këtyre projekteve do të zhvillohet në kampusin e ri të Facebookut prej 770,000 metra katrorë, i cili po ndërtohet në Burlingame në Kaliforni, ku Facebooku do të punojë në këto dhe produkte të tjera.