Fajon për planin evropian: Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë momentumin, s’dihet kur vjen mundësia tjetër

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka deklaruar se duhet bërë gjithçka për të vazhduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se Kosova duhet të bëjë përpjekje për të Krijuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, pasi sipas saj, kjo siguron integrimin dhe mirëqenien e popullit të këtij komuniteti.

Ndërkaq, ajo në një intervistë për gazetën austriake, Der Standard, ka thënë se kur bëhet fjalë për planin evropian apo i njohur si franko-gjerman, i propozuar nga Bashkimi Evropian, është e qartë se “bëhet fjalë edhe për vendime politike jashtëzakonisht të vështira dhe me shumë pasoja të mundshme”.

Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka shtuar se shpreson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq duhet të gjejnë një mënyrë “për ta kapur këtë moment”, pasi sipas saj, nuk dihet se kur mund të vijë mundësia e radhës.

“Kur bëhet fjalë për propozimin e BE-së, e kuptoj se bëhet fjalë për vendime politike jashtëzakonisht të vështira me shumë pasoja të mundshme. Megjithatë, shpresoj se si Beogradi ashtu edhe Prishtina, në krye me politikanët e tyre, do të gjejnë një mënyrë për ta kapur këtë moment. Sepse është e vështirë të thuash se kur do të shfaqet një mundësi e re”, ka deklaruar ajo.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se “këtë vit mund të bëhet një hap i madh përpara” edhe në kufizimin e ndikimit të Rusisë në Serbi.

“Mendoj se në ditët e fundit kemi parë disa deklarata pozitive nga lidershipi serb. Tani pres pjekuri dhe mençuri në udhëheqjen e të dy vendeve. E kuptoj që është një situatë shumë delikate dhe e vështirë, por këtë vit mund të bëhet një hap i madh përpara”, ka thënë ajo.

Megjithatë, Fajon nuk ka pasur një përgjigje të qartë pozitive në pyetjen nëse Sllovenia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne nuk e kundërshtojmë këtë. Por unë nuk mendoj se debati për këtë është në tavolinë tani. Nuk jam e sigurt nëse nuk është shtyrë, por nuk na shqetëson”, ka deklaruar ajo.