Fatmir Limaj për Kusari-Lilën: Është një ‘Gërvish dhe Fito’

Të hënën në media janë publikuar disa përgjime të shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Këto inçizime të cilat i publikoi Gazeta Nacionale thuhet se u bënë në qershor të vitit të kaluar.

Simiq gjatë bisedës ia përmend Kusari-Lilës një komunikim që kjo e fundit e ka zhvilluar me Milan Radojiçiqin.

Për publikim e këtyre përgjimeve ka pasur reagime të shumta të partive opozitare.

Kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj ka folur në një intervistë për Front Online lidhur me këtë çështje.

Limaj thotë se kjo e dëshmon se Kosova udhëhiqet nga hipokritë e mashtrues.

Ai tha se nuk është befasuar aspak nga përgjimet e publikuara.

Limaj është tallur me Kusari-Lilën duke e quajtur ‘gërvish dhe fito’

Ai ka pasur kritika edhe për qeveritarët në pushtet, duke thënë se kur Kosova ka pasur nevojë ata kanë ikur.

“Asgjë për mua s’është ajo, mos bëni hajgare a e dini ju çfarë modeli janë këta njerëz që nuk kanë bërë kurrë asgjë për këtë vend e na shitën patriot po çfarë kanë dashtë me dhënë një kontribut për Kosovën kanë ikur këta janë njerëz me dy, tre pasaporta në xhep, çka prisni prej këtyre njerëzve pash besën, ju keni mendu që këta janë kaq patriot e të vendosur kur ka pasur nevojë ky vend këta kanë ikë krejt kurrkund nuk kanë qenë por disa prej tyre, familjarët e tyre kanë qenë në role të këqija në raport me lirinë e Kosovës e raport të keq me vendin e tyre”.

“Kjo e dëshmon hipokrizinë atë raportin me të vërtetën me vendin ku s’kanë raport të vërtetë me vendin e tyre të sinqertë, s’jam i befasuar pse duhet t’i besojmë për çfarë kredibiliteti të politikani po flasim kjo është një gërvish-fito, kjo tregon që Kosova sot si asnjëherë më parë drejtohet nga hipokritë, oportunistë e mashtrues”, u shpreh Limaj.

Pas publikimit të përgjimeve, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kryeministri Kurti nuk ka qenë në dijeni për bisedën me Milan Radojiçiqin.

Limaj thotë se kjo është hipokrizi se në publik Listën Serbe e kanë shpallur parti terroriste.

Ai ka folur edhe për takimin që ka pasur Ramush Haradinaj me Milan Radojiçiqin.

Limaj tha se Haradinaj është takuar hapur me kamerë e të sinqertë.

“Nuk dua as të merrem me të. Besoj ju e dini këtë punë. S`ka nevojë me prit që ata me thanë diçka ndryshe. Deri dje, pardje, kanë thanë se nuk kanë pas komunikim kurrë. Kanë sharë njerëz poshtë e përpjetë që kanë qenë transparentë. Si takimi i Ramushit. Mundet me qenë i gabuar, por i sinqertë, i hapur. Mundesh me ta gjykosh, kritikosh, dallon raporti, për shembull Ramushi e ka pas takimin në zyre me Rajodiqin, kamerat kanë qenë aty. Listën Serbe e kanë shpall parti terroriste, fashiste, eksponentë të VV-së. Këtu qëndron hipokrizia, në publik diçka tjetër, në zyre tjetër”, thotë Limaj.