Fatmir Shurdhaj dhe të tjerë aderojnë në AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ka bërë disa aderime nga njerëz të larguar nga partitë e ndryshme politike.

Përmes një konference për gazetarë, e cila u transmetua drejtpërdrejt nga RTK, në të cilën ishte edhe Ramush Haradinaj, sot i është bashkuar AAK-së Fatmir Shurdhaj, ish anëtar dhe deputet i PDK-së.

Po ashtu u mësua se në AAK u anëtarësuan edhe disa kryetar të nëndegëve të LDK-së e PDK-së në Malishevë.

E për t’i pritur këta anëtarë, doli i pari i partisë, njëherësh edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se ndihet i nderuar që tashmë do të rrugëtojnë së bashku me këta persona.

“Është një vendim i këtyre njerëzve që kanë respekt për zonën nga vijnë e që këta kanë vendos që aktivitetin e tyre politik me e zabtu në AAK. Ky është një nder i madh dhe jam i nderuar që sot bashkohemi me rrugëtua bashkë”, tha Haradinaj.

Ndërsa Fatmir Shurdhaj, dikur anëtarë i Partisë Demokratike të Kosovës e i akuzuar në rastin “Pronto”, tha se të gjithë këta anëtarë të rinj kanë qenë të pakënaqur me sistemin e partive që i takonin dikur.

“Neve na ka bashku besimin me qëllimin që dijet tona të i japim me programin politik të aleancës. Të gjithë këta që janë këtu janë të subjekteve politike që janë të pakënaqur me zhvillimet politike në subjektet e tyre”.

Ai trego arsyet kryesore pse braktisën PDK-në.

“Ne jemi të pakënaqur me sistemin e PDK-së, ajo ka dalë prej shtratit të saj dhe nuk krijon politika për shkak të interesit të qytetarëve ajo po i ngjanë më shumë një procesi të gjahtarëve ata nuk e kanë respektuar programin e dekadës së re”, tha Shurdhaj./Fokusi.info