Festa e Halloween-in u kthye në tragjedi: 151 viktima në Korenë e Jugut, vendi në zi kombëtare

Presidenti i Koresë së Jugut ka shpallur një periudhë kombëtare zie për shkak të një rrëmuje gjatë festimeve të Halloween-it, ku numri i të vdekurve është rritur në 151.

Presidenti Yoon Suk-yeol shprehu ngushëllimet për viktimat dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit në një deklaratë të dielën, përpara se të vizitonte skenën e përplasjes së turmës.

“Kjo është vërtet tragjike,” tha ai. “Një tragjedi dhe fatkeqësi që nuk duhej të kishte ndodhur në zemër të Seulit mbrëmë”.

Mediat koreano-jugore raportuan se gjithsej 151 persona u vranë në përplasjen e turmës në një zonë të mbushur me jetë nate në Seul të shtunën mbrëma, ndërsa të paktën 82 u plagosën.

Choi Seong-beom, shefi i departamentit të zjarrit Yongsan të Seulit, tha se numri i vdekjeve mund të rritet dhe se një numër i paspecifikuar i të plagosurve janë në gjendje kritike – me të paktën 50 persona që po trajtohen për arrest kardiak.

Viktimat u shtypën nga një turmë e madhe që po shtynte përpara në një rrugë të ngushtë gjatë festimeve të Halloween pranë hotelit Hamilton në zonën Itaewon.

Shumica e trupave janë dërguar në spitale, ndërsa pjesa tjetër po dërgohen në një palestër aty pranë në mënyrë që të mund të identifikohen, shtoi ai.

Një zyrtar i zjarrfikësve tha se shumica e të vdekurve janë në adoleshencë dhe në të 20-at dhe se 19 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Pamjet në mediat sociale treguan shumë viktima të shtrirë në trotuar ndërsa punëtorët nga shërbimet e urgjencës dhe kalimtarët kryenin CPR (masazh zemre) në një përpjekje për t’i ringjallur ata.

I gjithë personeli i disponueshëm i shërbimeve të urgjencës në Seul u shpërnda në rrugë për të trajtuar të plagosurit pas rrëmujës. /Kp