Fetoshi: Përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së në dialog është e domosdoshme

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Arben Fetoshi, ka shpalosur planin e politikës së jashtme të këtij subjekti , për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Fetoshi në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se do të kenë qasje inkluzive dhe ofansive sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi

“Në kuadër të planit për Rimëkëmbje para të gjitha subjekteve, PDK-ja e ka bërë të qartë se njëri nga prioritetet në qeverisjen e ardhshme të vendit do të jetë politika e jashtme. Ne kemi një qasje më inkluzive dhe më ofansive sa i përket sfidës së dialogut me Serbinë. Kjo për shkak se, ne konsiderojmë se një agresion diplomatik i vazhdueshëm nga ana e Serbisë, e ka vënë në një pozicion të palakmueshëm Kosovën”.

“Ajo çka do të bëjmë, ne fillimisht është të imponojmë një qasje të trajtimit të barabartë edhe nga ana e Bashkimit Evropian. Edhe në kohën kur Hashim Thaçi ishte në krye të qeverisë, dialogu ka qenë i projektuar si një instrument për t’i dhënë përfundimin konfliktit me Serbinë në një traktat të paqes. Në kuadër të kësaj, ne besojmë se qasja e Qeverisë së ardhshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të formojmë frontin e përbashkët politik për ta përballuar sfidën e dialogut”.

Fetoshi ka thënë se PDK-ja mendon se përfshirja e SHBA-së në procesin e dialogut është e duhura.

“Përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së, ne mendojmë se është e domosdoshme. Gjithashtu, mendojmë se përfshirja e Amerikës në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë është kruciale dhe vitale, kështu do të garantohen sovraniteti dhe integriteti i Kosovës deri në njohjen reciproke”.

“Plani për rimëkëmbje e ka të qartë qasjen tonë për integritetin gjithëkombëtar. Ne i japim përparësi përforcimit të shtetit, sovranitetit si dhe përmbylljes së suksesshme të shtetndërtimit me përfundimin e dialogut me Serbinë”.

Ai ka theksuar se procesi i dialogut Prishtinë-Beograd e ka mbajtur Kosovën larg integrimeve ndërkombëtare.

“Ne mendojmë që ky proces e ka mbajtur Kosovën larg integrimeve tjera. Kosova duhet të bëhet pjesë e Organizatës të Kombeve të Bashkuara (OKB), me këtë vendit do t’i garantohet subjektiviteti i plotë ndërkombëtar, integrimi në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare”.

Fetoshi ka kritikuar dy qeveritë e kaluara sa i përket politikës së jashtme të Kosovës duke thënë se i kanë bërë dëm vendit në këtë aspekt.

“Qeveria e parë e vitit 2020 ka ikur nga përgjegjësia politike për t’i përmbushur detyrat që ua kanë ngarkuar qytetarët sa i përket politikës së jashtme. Ndërsa, qeveria e dytë ajo nga LDK-ja ka gabuar në Washington ku ka pezulluar angazhimin e Kosovës për një vit për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Fetoshi.