Fillon hakmarrja e Isa Mustafës, mbledh kryetarët e degëve, kërkohet përjashtimi i deputetëve që nuk e votuan Hotin

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka filluar hakmarrjen ndaj deputetëve të partisë së tij.

Kjo pasi disa nga ta, nuk e votuan krijimin e Qeverisë Hoti, e udhëhequr nga nënkryetari i partisë, Avdullah Hoti, shkruan gazeta inFokus.

Gazeta inFokus, merr vesh nga burime të sigurta brenda partisë së Isa Mustafës, që ky i fundit, gjatë kësaj të hëne ka mbledhur kryetarët e degëve të partisë.

Ky burim brenda LDK-së, që edhe ishte brenda mbledhjes, i ka thënë inFokusit, se Mustafa i ka njoftuar kryetarët e degëve që do të merren masa ndaj deputetëve që nuk e votuan Qeverinë Hoti.

Burimi brenda takimit i ka thënë inFokusit se Kryetari i partisë, Isa Mustafa, i ka njoftuar kryetarët e degëve që për këtë punë shumë shpejt do të thirret edhe Këshilli i Përgjithshëm i partisë, ku do të kërkohet edhe përjashtimi i këtyre deputetëve nga partia.

Kundër Qeverisë Hoti, ishin Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli, ndërsa deputeti Fatmir Rexhepi kishte abstenuar, shkruan gazeta inFokus.

E deputeti Ardian Shala, pavarësisht që kishte shprehur qëndrim kundër, e ka votuar Qeverinë.

Gazeta inFokus, edhe para votimit të Qeverisë Hoti, kishte raportuar ekskluzivisht që deputetëve kundërshtues të LDK-së, po iu bëhet presion që ose të votojnë ose të përjashtohen nga partia.

Qeveria Hoti, u bë me saktësisht 61 vota, minimum që kërkohet për të votuar ekzekutivin.