Kryetari i qytetit Norwalk të SHBA-së vizitoi qytetin e Vushtrrisë, ku do të shpallet “Qytetar nderi” i Vushtrrisë

Në kuadër të bashkëpunimit mes dy qyteteve, kryetari i qytetit Norwalk të Shtetit të Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tom Phillips, me një delegacion të gjerë ka vizituar qytetin e Vushtrrisë.
Kryetari Phillips dhe anëtarë të Këshillit të qytetit në fillim të kësaj vizite janë pritur nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri me bashëpunëtorë, i cili e ka njoftuar me zhvillimet në Komunën e Vushtrrisë, thuhet në një njoftim të Komunës së Vushtrrisë.
“Kreu i Vushtrrisë i ka njoftuar  me potencialet zhvillimore të Vushtrrisë në përgjithësi, por edhe investimet që po bëhen në përkrahje të zhvillimit ekonomik. Duke pas parasysh që qyteti Norwalk dhe Iowa janë të njohura për bujqësi tepër të zhvilluar, kryetari Tahiri ka folur me theks të veçantë për bujqësinë në Vushtrri dhe potencialet e mëdha të saj, si dhe është fokusuar në bashkëpunimin mes dy qyteteve që nxënësve dhe studentëve vushtrrias t’u ipet mundësia për shkollim në degët e bujqësisë në Shtetin e Iowa-së”, thuhet në njoftim.
Në fillim të këtij bashkëpunimi me Vushtrrinë, kryetari Phillips u shpreh shumë i kënaqur dhe optimist se binjakëzimi mes dy qyteteve do të jetë në interes të qytetarëve të dy vendeve, por edhe ndarjes së përvojave të mira mes administratës lokale të dy qyteteve.
Gjatë këtij takimi është biseduar për format e bashkëpunimit në kuadër të binjakëzimit mes Komunës së Vushtrrisë dhe Norwalk të SHBA-së.
Gjatë qëndrimit në Vushtrri, delegacioni nga Iowa po viziton edhe institucione, shkolla por edhe biznese të njohura të Vushtrrisë.
“Në mbrëmje pritet të bëhet ceremonia zyrtare e nënshkrimi të marrëveshjes së binjakëzimit mes dy qyteteve si dhe shpallja “Qytetar nderi” i Vushtrrisë, të kryetarit të Norwalk-ut, Tom Phillips”, thuhet në përfundim të këtij njoftimi.

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë, në mbledhjen e datës 26.04.2018 ka marrë vendim që të shpallet “Qytetar nderi”, kryetari i Komunës Norwalk-Iowa të SHBA-së, Tom Phillips, si dhe ka aprovuar draft-marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet qytetit Norwalk dhe qytetit të Vushtrrisë.