“Fitore e Pirros e Albin Kurtit”, Sherifi tregon përfitimin e Serbisë për zgjedhjet në veri: Ato ishin karotë për Kurtin, jo sukses

Me 2 maj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq do të takohen në Bruksel.

Kurti ka thënë se në këtë takim i cili do të ndërmjetësohet nga BE-ja temë diskutimi do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit zbatimit të Ohrit.

“Duhet të diskutohet edhe Marrëveshja e Brukselit edhe aneksi i zbatimit nga Ohri që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa ne në plotëni”, ka thënë Kurti sot.

Ndërsa, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të dielën ka thënë se në takimin e 2 majit do të prezantohet drafti për Asociacionit si dhe do të nënshkruhet deklarata për personat e zhdukur.

Takimi vjen pas mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore me shumicë serbe, ku u zgjodhën kryetarë shqiptarë.

E, mbajtjen e zgjedhjeve në veri, për Gazeta Blic Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, e sheh si marrëveshje në mes të Kurtit dhe Vuçiq dhe si karotë të dhënë për Kurtin, që më pas mirë e madhe t’i jepet Serbisë.

“Për zhvillimet politike në të ardhmen rëndësi ka zbatimi i marrëveshjes, qoftë takimi i radhës për zbatimin e marrëveshjes me zgjedhjet që janë mbajtur në veri, në katër komunat me shumicë serbe. Unë jam shumë i sigurt se këto zgjedhje janë mbajtur në marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit, mes dy ndërmjetësve. Pra, bashkësia ndërkombëtare e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve, ia ka dhënë karotën, nëse ndalemi te strategjia karota dhe shkopi, pra tash ia kanë dhënë një karotë Kurtit, e kanë lejuar t’i mbajë zgjedhjet, Serbisë ia kanë dhënë shkopin, duke e detyruar që të mos reagojë, pra është marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare që kësaj radhe të lëshojnë pe ndaj Kurtit, në mënyrë që pastaj, gjatë procesit të dialogut ai t’i lëshojë pe Serbisë, në mënyrë që ta formojë Zajednicën, përkatësisht autonominë”, thotë ai për Gazeta Blic.

Ai thotë se nuk është siç po mendohet sukses i qeverisë mbajtja e zgjedhjeve, pasi për mbajtjen e tyre, do të formohet Zajednica, vetëmenaxhimi e autonomia.

“Nuk është siç po mendohet që qeveria ta paraqes si rezultat të saj mbajtjen e zgjedhjeve, pasi kjo është një karotë që më pas do t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës. Pra tash radhën e ka Kosovës, në të ardhmen radha do të jetë që t’i jepet Serbisë, e cila është karota, është Zajednica, autonomia, vetëmenaxhimi. Nga perspektiva ime, janë lejuar të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore, ku kanë votuar 1500 votues dhe njohja e atyre zgjedhjeve nga bashkësia ndërkombëtare ka të bëjë me faktin që njëherë duhet Kurtit t’i bëhet një lëshim e pastaj lëshimin e madh ndaj Serbisë”, vlerëson Sherifi.

Sipas tij, kjo është fitore e Pirros e Albin Kurtit sepse nuk ka fituar asgjë dhe se të zgjedhurit nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës dhe se zgjedhjet nuk janë legjitime.

“Kjo është një fitore e Pirros e Albin Kurtit sepse nuk ka fituar asgjë, thjesht janë mbajtur zgjedhjet në katër komuna, janë zgjedhur përfaqësues shqiptarë dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës serbe që jetojnë atje, sepse nuk është e njëjta gjë të jenë zgjedhjet legale dhe legjitime, problemi është te legjitimiteti që buron nga populli”, deklaron Bilall Sherifi.