Fjalimi i guximshëm i Nasim Haradinajt në Hagë: Kjo prokurori është politike dhe e korruptuar, mijëra dosje dolën nga ju

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dalë sot për herë të parë si i akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Haradinaj në fjalimin e tij tha se Prokuroria Speciale duhet të kërkojë fajin në Kosovë për nxjerrjen e dokumenteve sekrete, e jo te OVL të UÇK-së pasi nuk ka pasur qasje në to.

Haradinaj tha se të hidhet përgjegjësia tek ai dhe Gucati për ato dokumente është çmenduri.

Ai Prokurorinë Speciale e konsideroi si prokurori korruptive që ka për qëllim njollosjen e luftës çlirimtare dhe dënimin e udhëheqësve të ushtarëve.

“Para së të dekalarohem dua të them se për mua dhe për ata që kanë pak logjikë  nuk ka si të kuptohet ndryshe se kjo prokurori do që ta heq vëmëndjen nga vetja dhe të kërkojë fajin krejt diku tjetër, pra në Kosovë.

Siç edhe po shihet Kosova dhe qytetarët e saj janë fajtorët e saj. Pra, ne duhet të përgjigjemi se pse u dolën  sekretet e tyre.

Ato nuk ishin as dy fletë, por me mijëra fletë, OVL-UÇK nuk ka pasur qasje as nuk mund të fajësohet për nxjerrjen e dokumenteve nga sirtarët.

Nga ne dhe qëndrimet tona nuk keni çfarë të prisni, sepse qëndrimi ka qenë publik. Këtë e kemi thënë dhe mohimi i faktit duke anashkaluar se kush i nxori e kush i solli në Kosovë e në selinë tonë e tani ta marrin ne përgjegjësinë  e tyre është një çmenduri, për t’i larë fajet e kësaj sigurie është absurde.

Për mendimin tim kjo prokurori është politike, selektive dhe e një anshme. Është edhe e korruptuar, sepse ndryshe nuk do u dilte i gjithë ai material nga zyrat e tyre dhe kjo prokurori ka dy qëllime: mundohet t’i njollosë luftën dhe ushtarët dhe po mundohet t’i dënojë përfaqësuesit e këtyre ushtarëve.

Do të vendosë avokati se kur do të dekarohem për pafajësinë apo fajësinë time.

Unë më nuk flas, por do të flas vetëm përmes avokatit”, tha ai./Fokusi.info/