Frika nga numri 13, nga rrjedh kjo frikë?

696

Besimi se numri 13 është i mallkuar ose ndjell fatin e keq, ka pasur kryesisht një arsyetim fetar në Mesjetë. Në Darkën e Fundit të Jezusit me dishepujt e tij, në tryezë ishin 13 njerëz të pranishëm, ndaj besohej se 13 njerëz në një grupim ishin një shenjë e keqe.

Ky paragjykim, u bë edhe më i theksuar me kalimin e kohës. Meqënëse Juda ishte i pari që u ngrit nga tryeza në Darkën e Fundit, dhe ai për të cilin u tha se do ta çonte Jezusin drejt vdekjes, besohej se personi i parë që ngrihej nga një tavolinë prej 13 vetash, do të përballej me fatin e keq.

Shumë njerëz, besonin se nëse në një festë ku merrnin pjesë 13 njerëz, cilido që ngrihej i pari, do të vdiste brenda vitit. Me këtë supersticion, njerëzit në Mesjetë siguroheshin që të mos mblidheshin kurrë 13 njerëz bashkë. Por frikë nga numri 13, nuk kishin vetëm të krishterët. Edhe romakët besonin se numri 13, ishte shenjë e fatit të keq dhe vdekjes. Vikingët gjithashtu, besonin se 13-a ishte një numër i keq. /bota.al/