Fshati i Podujevës që po braktiset, që 35 vjet s’ka rrugë të asfaltuara

Rreth 5 kilometra rrugë që të dërgojnë në fshatin Metergoc të Podujevës, tash e 35 vjet kanë mbetur të paasfaltuara.

Mbi 100 banorë të këtij fshati, përballen me telashe të shumta, si pasojë e problemeve me këtë rrugë, raporton KTV.

Ndonëse këta banorë herë pas here kishin marrë shume premtime nga komuna, se rruga do të asfaltohej, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Premtimi i fundit ishte bërë në vitin 2017.

Me këtë gjendje, ata përballen çdo ditë, e vështirësi më të mëdha po kanë gjatë ditëve me mot të ligë.

Ndër hallet më të mëdha, sipas banorëve, është mbyllja e shkollës së fshatit para 7 vjetëve dhe braktisja nga banorët.

Në Komunën e Podujevës kanë thënë se hallet e këtyre banorëve nuk do të përfundojnë as këtë vit.

Banorët thonë se në rast të mosrealizimit të premtimeve që kanë marrë, do të protestojnë para komunës së Podujevës.