Fshatrat e Mitrovicës përfshihen nga zjarri, Policia, FSK e KFOR-i u dalin në ndihmë banorëve

Disa fshatra në Mitrovicën e Jugut janë përfshirë nga zjarri sot. Atje tashmë kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe po bëhet përpjekje që zjarri të lokalizohet.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Fexhrije Pllana, ka bërë të ditur për Sinjalin se zjarrfikësit, Policia, Forca e Sigurisë dhe KFOR-i tashmë janë në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës 15:08 është raportuar për një zjarr në fshatin Cërnushë. Zjarri është përhapur në fshatin Kqiq, te pishat dhe fshatin Zasellë. Njësitë policore, zjarrfikësit, FSK dhe zjarrfikësit e KFOR-i janë në vendngjarje duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin dhe ne rast nevoje edhe evakuimin e banoreve”, tha Pllana.

Sipas mediumit lokal Mitropol, banorët në fshatrat afër Cërnushës po evakuohen nga Policia, zjarri në pjesën veriore ka ardhur afër stacionit të ri të transformatorit në malet në Zveçan dhe vetëm pak metra larg vendbanimit të njohur si Lugina e Diellit.

Lidhur me ngjarjen e sotme është deklaruar edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, i cili ka thënë se zjarret janë shuar shpejt.

“Nuk kanë qenë zjarre klasike. Janë këso zjarre qe po i djegin këto fushat, kanë qenë në fshatin Suhadoll, por i kanë shuar zjarrfikësit shpejt. S’ka më”, ka thënë ai për REL.