FSSHK-ja kërkon rritje të pagave prej 50 përqind, nëse nuk kalon Ligji i Pagave

Sot, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, është diskutuar në lidhje me ecurinë e grevave të organizuara ditë më parë si dhe çështjet e ngritura para qeverisë nga kjo federatë.

Këshilli Drejtues bën thirrje edhe një herë që Ligji mbi Pagat të procedohet, miratohet dhe implementohet me buxhetin e vitit 2022.

Në komunikatën e tyre thuhet se Këshilli Drejtues i FSSHK-së unanimisht kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që nëse Ligji i Pagave nuk kalon, të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit në sistemit shëndetësor në lartësi prej 50% dhe kjo bazuar në faktin se nuk ka pasur rritje pagash që nga viti 2014.

“Këshilli Drejtues i FSSHK-së ia kujton gjendjen e rëndë të punëtorëve shëndetësorë si pasojë e inflacionit dhe shtrenjtimit të jetës, rritje kjo e cila do të ndikonte në zbutjen e kësaj gjendjeje. Kjo rritje do të vlente deri në fillimin e implementimit të Ligjit të Pagave”.

FSSHK-ja, deri më 15 dhjetor, do të bisedojë me secilin anëtar të vet dhe njëkohësisht pret reflektim nga qeveria, për të cilën ka formuar një grup negociues. Nëse edhe kjo nuk ndodh, FSSHK-ja paralajmëron masa radikale sindikale, siç është ndërprerja e punës në të gjithë institucionet publike shëndetësore.

“Mbesim me shpresë që qeveria do të reflektojë, në të kundërtën, për të gjitha pasojat e mundshme përgjegjësinë e bart vet Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e FSSHK-së.