Ftesa e Kurtit për takim, opozita me qëndrime të ndryshme

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa tre liderëve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës, mirëpo jo të gjithë i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij.

Përderisa AAK dhe LDK e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, PDK e ka rezufuar.

I pari që ka pranuar takimin është kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Lajmin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.

“Po e konfirmojmë se takimi mes Kryetarit Haradinaj dhe Kryeministrit Kurti, me kërkesë të këtij të fundit, do të zhvillohet në fillim të javës tjetër”, u shprehë ai.

Ndërsa, sot gjatë ditës një gjë të tillë e ka pohuar edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai tha shkurt se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kurti.

“Po do të marr pjesë”, tha Abdixhiku.

Ndërsa, kreu i PDK-së Enver Hoxhaj ka refuzuar takimin me Kryeministrin Albin Kurti.

Hoxhaj përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga ai.

“Këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet t’i diskutoni në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare. Ndërsa, nëse përmes formulimit “çështje madhore” i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëhere unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirëinformuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo “çështje madhore”, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Kujtojmë, që Qeveria nuk ka njoftuar se cilat janë temat e diskutimit, por ka thënë se për çështjet me interes nacional do të konsultohet me partitë opozitare.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend: z. Enver Hoxhaj (PDK), z. Lumir Abdixhiku (LDK), dhe z. Ramush Haradinaj (AAK). Kryeministri Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë. Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë Kurti.