Funksionalizohet aparatura e re për terapinë rrezatuese në Klinikën e Onkologjisë, Kryeministri Kurti: Rritet cilësia e shërbimeve për qytetarët, reduktohen rastet e trajtimit jashtë vendit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizituan Klinikën e Onkologjisë në QKUK për të parë nga afër punimet të cilat kanë filluar lidhur me investimet që do ta transformojnë rrënjësisht këtë klinikë.

Sot, ka hyrë në funksion edhe aparatura e re për terapinë rrezatuese e gjeneratës së fundit, para afatit të planifikuar, me ç’rast deri në fund të vitit, do të largohen në tërësi listat e pritjes për radioterapinë, si dhe do të përmirësohet cilësia e trajtimit me radioterapi. Kjo është aparatura e dytë për terapinë rrezatuese që është siguruar për të qenë në dispozicion të shërbimeve onkologjike.

Gjatë kësaj vizite Kryeministri Kurti foli për rëndësinë e funksionalizimit të kësaj aparature, të dytën e këtij lloji, dhe për vëmendjen që i ka dhënë qeveria shëndetësisë me buxhetin e këtij viti, me të cilin është rritur për 50% dhe në kuadër të të cilit rreth 60 milionë euro janë ndarë për listën esenciale të barnave.

“Në Institutin e Onkologjisë këtu punojnë gjithsej 24 mjekë, janë edhe 6 fizikantë si dhe janë 40 infermierë. Ne i falënderuam të gjithë ata për punën e madhe që po e bëjnë dhe jo vetëm kaq, njëkohësisht në kohë rekord kanë arritur që ta bëjnë instalimin dhe montimin e kësaj pajisje, pra të akseleratorit të dytë, nga e cila do të përfitojnë të gjithë pacientët. Deri tash koha e pritjes ka qenë gjashtë deri në tetë javë, ndërkaq sipas drejtorit Ilir Kurtishi kjo kohë do të vije në zero me shumë gjasa brenda këtij viti”, deklaroi kryeministrit Kurti.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se intervenimet e menjëhershme në Klinikën e Onkologjisë kanë qenë të natyrës emergjente. Sipas tij, me fillimin e punës së aparaturës së re për terapinë rrezatuese, deri në fund të vitit pritet të largohet në tërësi lista e pritjes. Me akseleratorin e ri, fokusimi i rrezeve jonizuese në inde është i sigurt për organizmin dhe përmirëson cilësinë e trajtimit me radioterapi. Falë specifikave të akseleratorit të ri, shumë pacientë nuk do të kenë nevojë të shkojnë për trajtim jashtë vendit.

Me akseleratorin e gjeneratës së fundit, stafi shëndetësor i shërbimit onkologjik, do të ketë mundësinë që për pacientët të aplikojnë teknikat më bashkëkohore dhe të shtojë vëllimin e punës. Akseleratori i ri në vlerë të 1 milion e 444 mijë eurove është një aparaturë e avancuar në shërbim të qytetarëve. Deri në fund të vitit, nuk do të ketë më lista të pritjes për pacientët e kësaj klinike. Siç jeni të njoftuar, në Spitalin Regjional të Prizrenit ka filluar ofrimi i shërbimeve për pacientët e Onkologjisë, ndërsa janë bërë planifikimet që decentralizimi i disa shërbimeve të bëhet edhe në spitalet tjera regjionale. Gjithashtu, me nënshkrimin e kontratave të reja për infermierë, janë shtuar kapacitetet e stafit profesional shëndetësor që do të jenë në dispozicion të pacientëve”, tha ministri Vitia.

Klinika e Onkologjisë në QKUK është i vetmi institucion shëndetësor në vendin tonë që ofron shërbime specifike për pacientët me sëmundje malinje. Gjatë vitit të kaluar, në Klinikën e Onkologjisë kanë qenë të shtrirë gjithsej 348 pacientë, në 12 shtretër, të cilët kanë pasur 2 mijë e 348 ditë mjekimi. Janë realizuar 47 mijë e 351 vizita ambulantore, janë ofruar 32 mijë e 272 terapi me citostatik dhe janë trajtuar si raste të reja me sëmundje malinje 1 mije e 736 qytetarë.