Gani Krasniqi i VV-së është ankuar në PZAP se i janë vjedhur votat

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi, në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 5.055 vota, por ai po akuzon partinë e tij se ia vodhën votat.

Krasniqi i cili mbeti jashtë Kuvendit po pretendon se komisionerët e Vetëvendosjes i kanë vjedhur votat e tij, ai po thotë se ka pasur shmangie të votave.

‘’Më shkon mendja se ka shmangie të votave dhe natyrisht e di se me punë jo të mira nuk luftohet e keqja. E keqja luftohet vetëm me punë të mira. Komisionerët janë punëtorë të administratës së shteti, pavarësisht se i çojnë partitë. Komisionerët ka edhe të VV edhe të partive tjerë, e ata janë administrator të shtetit. Për ato tri katër ditë e derisa të kryhet janë administrator të shtetit të KQZ-së’’, ka thënë Krasniqi për Periskopin.

Krasniqi pas zyrtarizimit të rezultateve nga KQZ, është ankuar në PZAP me arsyetimin se me votat e tij ka manipuluar dikush nga komisionerët.

Kujtojmë se Gani Grasniqi ka qenë ish i burgosur politik, komandant i UÇK-së në Malishevë gjatë luftës dhe është babai i dëshmorit, Labinot Krasniqi.