Gashi i LDK-së: Vetëm VV-ja nuk na dha përgjigje për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka bërë të ditur se vetëm nga Lëvizja “Vetëvendosje” nuk kanë marrë përgjigje rreth propozimit për shkurtimin e fushatës së zgjedhjeve lokale.

Sipas tij, është detyrë dhe obligim i të gjithëve të jemi bashkë për të mirën e qytetarëve tanë.

“Ruajtja e shëndetit të qytetarëve është detyrë dhe obligim!

Meqenëse situata me pandeminë është tejet e rënduar, konform saj kemi propozuar një pakt partiak për shkurtim të periudhës së fushatës zgjedhore nga 30 në 10 apo më pak ditë. Deri me tani vetëm nga partia në pushtet dhe i pari i saj nuk kemi pranuar përgjigje dhe as ndonjë konfirmim.

Ky është një rast ku partia në pushtet mund ta dëshmon vullnetin dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në të mirën e shëndetit të qytetarëve. Duhet, është detyrë dhe obligim i të gjithëve të jemi bashkë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka deklaruar Gashi.