Gashi: Politika e pritjes së ikjes së Trampit, e rrezikshme

Ish-Kryetari i LKÇK-së dhe njëri prej komandantëve të UÇK-së, z. Sabit Gashi në një postim në facebook ka shkruar se ka forca politike në Kosovë që si shpëtim nga ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë e shohin largimin e presidentit Tramp. Por, Gashi deklaron se kjo është e rrezikshme dhe me pasoja për Kosovën.

Lexojeni postimin e plotë të Sabit Gashit:

Kosova është si rrallë herë në një udhëkryq si pasojë e mosbesimit (megjithëse të padeklaruar hapur për shkak të frikës që i karakterizon politikanët shqiptarë në raport me Amerikën) ndaj politikës së Trampit, që e ka shumica dërmuese e partive politike shqiptare, me përjashtim të Presidentit të Kosovës i cili nuk duket aspak mosbesues.Politika e marrëveshjes gjithpërfshirëse, të balancuar dhe pa përjashtimin e asnjë opsioni, që e proklamon Trampi, për marrëveshjen përfundimtare te Kosoves me Serbinë, e ka trazuar skenën politike shqiptare dhe e ka vënë në dilemë, se a është më mirë që të vazhdohet me bisedime gjatë periudhës sa është Trampi president, apo të pritet deri sa të ik Trampi dhe të vjen një president tjetër.

Politika e vazhdimit të bisedimeve, sipas diskursit të ri politik amerikan, po duket me rreziqe, sepse nuk përjashtohet ridefinimi i kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë sic nuk është pa rreziqe as politika e pritjes deri sa të ik Trampi.Politika e pritjes së ikjes së Trampit ka me vete rrezikun e armiqësimit me të, gjë që nuk mund të mos ketë pasoja afatgjata. Të pritet ardhja e një presidenti të ri amerikan do të merr kohë, ndoshta edhe katër vjet të tjera, pas mandatit të parë të Trampit(sepse mundësia e rizgjedhjes së Trampit nuk është pa gjasa, sigurisht).

Prandaj shqiptarët kanë vetëm një rrugë: të ulen të gjithë së bashku dhe të unifikojnë qëndrimin rreth një strategjie që i jep përgjigje diskursit te ri amerikan duke pasur ne fokus interesin kombëtar shqiptar.