Gashi skeptik që do të ketë koalicion mes LDK-së e VV-së: Do të provokonte zgjedhjet

Deputetit i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi është skeptik se mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje mund të ketë lidhje të një koalicioni parazgjedhorë.Krejt kjo sipas tij, pasi që mund të ketë provokim të zgjedhjeve dhe njëherësh do të thyhej principi i LDK-së që në zgjedhje të garojë e vetme.

“Mendoj se ka më shumë faktorë sesa kaq. Situata është se kanë fillu të gjitha partitë të jenë më të arsyeshme. Pse? Sepse një princip ekziston një pajtueshmëri në Lidhjen Demokratike të Kosovës që është se shkojmë pa koalicione në zgjedhje. Një koalicion mes LDK-së e Vetëvendosjes, parazgjedhorë – do të provokonte vështirë zgjedhjet sepse një koalicion mes partive të mëdha si VV e LDK, këto partitë e tjera dihet që janë të humbura paraprakisht edhe normalisht që nuk e rrëzojnë Qeverinë,” – ka thënë Gashi në “BlicInterview”.

Ai konsideron se në të tilla situata duhet marrë parasysh që elektorati i LDK-së dhe ai i VV-së nuk janë të njëjtë.Sipas tij, është shumë më e lehtë për LDK-në që të mësoj forcën e saj politike duke garuar e vetme në zgjedhje e më pas të mendoj për lidhjen e një koalicioni.“Është një situatë të cilën ne duhet ta llogarisim mirë, plus struktura elektorale LDK-së dhe ajo e VV-së nuk janë të njëjta. Dhe mendoj se ne duhet ta dimë forcën reale në terren. E duke e ditur forcën reale pastaj është kolla me e ndërtua parimet e bashkëpunimit pas zgjedhor për një qeverisje të përbashkët ose diçka tjetër.

Pra nëse pajtohemi paraprakisht që partia që del më e madhe nga rezultati i zgjedhjeve do të ketë mandatarin për kryeministër…Mendoj që është e pa logjikshme me u pajtu për pa e ditë forcën reale në terren dhe përkrahjen që do të marrësh nëpërmes zgjedhjeve në Kuvend dhe me e nda në këtë formë përgjegjësinë në qeverisje.

Pra, është një paragjykim i situatës dhe paragjykimet e situatës nuk mund të prodhojnë rezultat të një besueshmërie të bashkëqeverisjes,” – ka shtuar ai.

Gashi nuk ka harruar të vë në theks fuqinë e dikurshme të Lëvizjes Vetëvendosje e cila nuk ka shumë kohë që është ndarë si pasojë e mosmarrëveshjeve të brendshme çka çoi në krijimin e Partisë Socialdemokrate.

“Ne duhet të dimë forcën reale gjithsecili. Duhet të matemi. LDK-ja mbas mbylljes së Procesit Zgjedhorë, VV-ja mbas mbylljes së Procesit Zgjedhorë të ndarjes që e ka pasur. Me e pa forcën reale të VV-së, forcën reale të LDK-së dhe mbas zgjedhjeve mund të ketë një bashkëpunim më të lehtë pra mbi parimin se paraprakisht ne mundemi me bo veç përparime jo për ndarje të pushtetit.” – tha Gashi.

I pyetur rreth asaj se po përflitet që Lidhja Demokratike e Kosovës së fundmi po tregohet e hapur rreth koalicioneve, ai ka thënë se nuk mund ta konsiderohet kështu, pasi LDK është e hapur në bashkëpunim por jo në krijimin e koalicioneve parazgjedhore.

“Nuk muj me konsideru kështu. Mendoj se LDK-ja është më e hapur në kuptimin e bashkëpunimit. (Pse më e hapur tash?) Preferenca parësore është bashkëpunimi opozitarë. Pra, ideja kryesore është që të kemi një qeverisje e cila do të ndërtohet, qeveria e ardhme e cila do të ndërtohet mbi bazën e një bashkëpunimi opozitarë të sotëm. Dhe ky bashkëpunim opozitar, që të kemi lëvizje edhe të blloqeve në qeverisje. Ata që kanë qenë në pushtet shkojnë në opozitë, ata që janë në opozitë vijnë në pushtet dhe platformat pastaj vijnë duke u balancuar në sistemin e qeverisjes.Kjo është ideja fillestare me gjithë se e dimë se kemi dallime konceptuale dhe ideologjike me Vetëvendosjen por kemi shumë çështje që janë prioritare për Kosovën që na bashkojnë ma shumë sesa çështjet që na ndajnë, çështjet e konceptit të ekonomisë ose diçka tjetër.Mendoj se ka momente në të cilat ne mundemi me bashkëpunu dhe të shohim se cilat janë bazat e rëndësishme të zhvillimit të Kosovës në afat të gjatë. Pra, në këto rrethana është i mundur bashkëpunimi opozitar, por është e mundur edhe marrja e pjesëve nga Qeveria për të kriju atë momentumin e rrëzimit të saj,“ – ka shtuar Gashi.