Gashi: Sonte u tentua të shkelet rendi kushtetues

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi ka folur pas seancës ku u tentua që të votohet në lexim të parë me procedurë të përshpejtuar Ligji për Zgjedhjet.

Gashi është shprehur se sonte u tentua të shkelet rendi kushtetues dhe gjithashtu ka thënë se një ligj i tillë ka qenë shantazh dhe kërcënim.

“Sonte nga pushteti i idesë totalitare u tentua të shkelet nga rendi kushtetues. Nëpërmjet arrogancës së numrave u tentua të imponohet mbi Kuvendin shantazhi dhe kërcënimi. Por ne jemi këtu për të mbrojtur shtetin, interesin qytetar dhe rendin Kushtetues. LVV-ja dhe kryeministri i saj tentuan të kërcënojnë çdo deputet dhe çdo qytetar të Kosovës me mendësinë e tyre totalitare. Ne sonte patëm një seancë që u thirr në orët e vona të natës për të kërcënuar e për të shantazhuar por ne jemi këtu për të mbrojtur ligjin. Nuk ka në asnjë vend demokratik që sistemi zgjedhor, gara bazike të ndryshohet në mënyrë të njëanshme.”, tha Gashi.

Më tutje ai tha se kryeministri Kurti e dërgon vendin në zgjedhje nëse nuk tërhiqet nga ky ligj atëherë e dërgon vendin në zgjedhje.

“Nëse ky ligj nuk tërhiqet, atëherë kryeministri Kurti e dërgon vendin në zgjedhje sepse është i paaftë dhe i paguximshëm të qeverisë vendin. Merret me simbolika të panevojshme kur i ka 4 vite përpara. Ky ligj nuk ka të bëjë me zgjedhjet lokale sepse ai është komplet tjetër. Kërkoj nga ju dhe qytetarët e Kosovës të jenë të qetë e të vetëdijshëm për atë që po kërcënohet sonte dhe ditët në vazhdim.”, tha Gashi.

Krejt në fund ai është shprehur se LDK-ja nuk do të merr në seancën ku votohet presidenti pa u tërhequr Kurti nga ky ligj.

“Ne nuk marrim pjesë në seancën e presidentit pa u tërhequr ligji.”, tha Gashi.