Gashi: Videomesazhi i Kurtit ishte i qëllimshëm dhe politik drejtuar serbëve për vrasjen e Ivanoviqit

Avokati Tomë Gashi ka komentuar videomesazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me rastin e përvjetorit të pestë të vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës.

Ky videomesazh ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, figura politike dhe publike të vendit, sidomos kur vetëm një ditë më vonë, sot, shënohet përvjetori i vrasjes së vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka dhe po ashtu edhe përvjetori i 555-të i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Por, Gashi tha se nuk duhet të krahasohen dhe përzihen këto epitete dhe nuk duhet t’u jepet i njëjti konotacion.

“Nuk mund t’i perziejnë epitetet siç janë për vëllezërit Gërvalla, nuk mund ta përziejmë as përvjetorin e 555 të vdekjes së heroit tonë kombëtar, dhe nuk besoj që historia e njerëzimit të ketë dikë si ai që ka ndalë hyrjen e turqve ose otomanëve në Evropë. Dhe sigurisht, përkujtimi për secilin pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka kurrfarë konotacioni që mund të ndërlidhet me atë që kryeministri ynë Albin Kurti tha dje për përvjetorin e vrasjes së Oliver”, tha Gashi në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.

Avokati shtoi se ky mesazh politik i Kurtit ishte i qëllimshëm që të dërgonte porosi te serbët “sepse Ivanoviqi është vrarë nga serbët”.

“Konotacioni politik duhet të shihet se Albin Kurti dëshiroi të thotë se kjo ditë ishte përkujtim i qëllimshëm i Oliver Ivanoviqit, sepse atë e kanë vrarë serbët. Ivanoviqi ishte i pari që deshi të fusë një pluralizëm politik te serbët dhe në atë kohë ishte kandidat, si politikan serioz nga popullata serbe në veriun e Kosovës që ta zëvendësojë kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore, duke e eliminuar atë të Listës Serbe që ishte kandidat”, u shpreh avokati.

Gashi përmendi edhe procesin gjyqësor të Ivanoviqit, si i akuzuar për krime të luftës ndaj shqiptarëve, i cili tha se rasti i tij është kthyer në rigjykim.

“Lënda është kthyer në rigjykim, dhe nuk besoj që Albin Kurti e di se çfarë po ndodhë që 5 vjet në gjykimin e disa të arrestuarve që janë sipas Prokurorisë Speciale të përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit. Ne kemi aty dëshmitarë anonimë dhe dëshmitarë të fshehur dhe shumica e tyre janë serbë të pjesës veriore, të cilët frikësohen për të dhënë dëshmi konkrete për ta identifikuar vrasësin e tij”, tha Gashi.

Tutje, ai tha se që të gjithë e dinë se, “të gjitha institucionet duke përfshirë edhe policinë dhe prokurorinë tonë, edhe ndërkombëtarët, e dinë që Ivanoviqin e kanë vrarë struktura paralele serbe të dirigjuara nga Vuçiqi, nga Beogradi”.

“Nëse ne politikën e Albin Kurtit nuk e kuptojmë, se ai po don ‘me gjujt gurin’ në Serbi, sepse ata kanë vrarë njeriun e tyre”, theksoi avokati Gashi.