Gaxherri – Haxhiut: Me deklarata tendencioze po e prishni bashkëpunimin, LDK-ja nuk i trembet Vetëvendosjes

Të premtën, Lidhja Demokratike e Kosovës, refuzoi ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion parazgjedhor, e cila nënkuptonte që Vjosa Osmani të ishte bartëse e listës, pra e para në listë, kurse Albin Kurti i dyti. Sipas ofertës së VV’së, cilido prej kandidatëve që do të fitonte më shumë vota në zgjedhjet e 6 tetorit, do të bëhej kryeministër.

Pas refuzimit që LDK ia bën VV’së, zyrtarë të kësaj të fundit, kanë hedhur akuza në drejtim të zyrtarëve të partisë që e konsideronin si partnere parazgjedhore, shkruan Periskopi.

Kanë qenë fillimisht figura të Vetëvendosjes, që e kanë konsideruar ‘tinëzare e tradhtare’ LDK’në derisa këta të fundit, kanë bërë thirrje vazhdimisht që të shmanget një fjalor i tillë ‘për hir të mos dëmtimit të raporteve të ndërtuara deri tani’.

Reagimi i fundit nga Vetëvendosje, përkatësisht nga ish-deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka të bëjë pikërisht me këtë çështje. Haxhiu përmes një postimi në FB sot ka thënë se nuk e kupton LDK’në ‘pse u bëjnë thirrje të mos i kritikojnë’. Madje, Haxhiu, ka aluduar edhe në atë, se ‘kjo thirrje sipas LDK’së’, a nënkupton që ‘nëse VV vazhdon me kritika, LDK mund të përfundojë me PDK’në’.

“LDK po thotë mos na kritikoni, sepse kjo prish mundësinë e koalicionit paszgjedhor. E para: pse po kanë frikë nga kritikat tona e s’po kanë frikë të kopjojnë frazat e premtimet tona. E dyta: a i bie kjo që nëse ne i kritikojmë ata shkojnë me PDK? Pas 30 gushtit, gjithçka është qartësuar andaj secili subjekt duhet të marrë përgjegjësitë e veta”, ka shkruar Haxhiu, përcjell Periskopi.

Ndaj deklaratës së tillë të Haxhiut, ka reaguar ish-deputetja e LDK’së, Besa Gaxherri, e cila ka thënë se partia e saj ‘nuk i trembet sulmeve dhe është e gatshme të përballet me to’.

Për Gaxherrin, deklarata e Haxhiut është e pamatur.

“Sa i përket deklaratës së znj Haxhiu, konsideroj se është e pa matur, e pa vërtetë dhe tendencioze, në këtë formë nuk ngriten urat e bashkëpunimit. Ne nuk trembemi nga sulmet e askujt e as të VV, i kemi përballuar me të gjithë dhe ende jemi shpresa e këtij vendi”, thotë Gaxherri në një përgjigje për Periskopin.

Tutje, ajo shton se në Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së është votuar që në asnjë rrethanë nuk do të hyjnë në koalicion me PDK’në.

“Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, unanimisht ka marrë vendim se nuk ka koalicion me PDK dhe kemi deklaruar publikisht se partneri ynë për koalicion paszgjedhor është VV, andaj kjo i mbetet VV që të tregoj korrektësinë, sinqeritetin fhe gadishmërinë për një gjë të tillë. LDK do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve edhe pa sulme të tilla çfare po i bëjnë eksponent të caktuar të VV për LDK. Nuk ka kush qe mund të na ndal në rrugën tonë për fitore dhe për t’ia kthye Republikën qytetarëve. Ne aktualisht kemi lidhur koalicion me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është duke funksionuar”, përfundon Gaxherri.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Periskopi për ta pyetur lidhur me deklaratën e Haxhiut, për partinë në të cilën është zëdhënës, Besian Mustafa i LDK’së, ka thënë shkurt se nuk merret me këto deklarata, por vetëm ka thënë shkurt se ‘vendimi për të mos pasur koalicion me PDK’në, është marrë në Këshillin e Përgjithshëm të partisë’.

“Këshilli i Përgjithshëm ka votuar të mos ketë koalicion para/pas zgjedhor me PDK”, tha shkurt Mustafa.