Gazetari serb: Kushdo nga Serbia që e njeh Kosovën shtet, i jep fund karrierës politike

Gazetari serb Milivoje Mihajloviq thotë se vizita e Mat Palmer ‘nuk duhet të merret si tepër e rëndësishme’, pasiqë sipas tij ‘përfaqësuesit amerikanë nuk kanë ndonjë ndikim të madh në Ballkan’.

“Amerika ka dy përfaqësues. Njëri nga ta është nga Departamenti i Shtetit dhe tjetri nga Shtëpia e Bardhë dhe këtu kemi një konfuzion serioz lidhur me atë se kujt t’i drejtohemi, kush është më i fuqishëm’. Grenell ka ardhur në rajon me një ide dhe pas tij Palmer me të njëjtën ide por vetëm me fjalor më të ndryshëm”, thotë ai për mediat serbe, përkthen Periskopi.

Sipas këtij gazetari serb, të dy përfaqësuesit amerikanë kanë ardhur në Ballkan për ‘të mbrojtur interesant e tyre’

“Presioni për të zgjidhur çështjen e Kosovës është i dobët. Ende s’ka një qeveri në Prishtinë dhe zgjedhjet në Serbi mbahen në pranverë. Në kohë fushatë, nuk besoj që dikush do të rrezikojë pozicionin e brendshëm politik dhe të shkojë në Bruksel. Askush nuk do ta njohë Kosovën në Serbi sepse çdokush që e bën këtë, i jep fund karrierës politike’, thotë ai.