Gjakova proteston për Tomor Morinën, kërkohet që të punohet për lirimin e tij

Në Gjakovë sot është mbajtur një protestë, ku është kërkuar lirimi i ish-luftëtarit të UÇK-së Tomor Morina, i cili është arrestuar javën e shkuar në pikën kufitare Blacë sipas fletëarrestit nga Interpoli. Morina kërkohet nga Serbia nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë.

Familjarë e qytetarë të shumtë kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të punojnë më shumë që Maqedonia e Veriut të lirojë sa më shpejt Morinën.

Gjatë protestës, kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka bërë të ditur se kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka njoftuar se ka pasur biseda me autoritetet maqedonase dhe i është premtuar se do të jenë të kujdesshëm sa i përket këtij rasti.

“Secili prej nesh sot e ka një mllef dhe me plot të drejtë, i kemi lënë 20 vite pas luftës dhe ata që faktikisht kanë kryer krime kërkojnë të na dënojnë. Gjithë njerëzit që janë sot këtu, e me këtë ndjenjë e dërgojnë një mesazh që ne e dëshirojmë Tomorin, bashkëluftëtarin tonë, djalin e Gjakovës sa më shpejt në shtëpi të vet, tek miqtë e familjarët. E kemi zor më fol më shumë për detaje, mirëpo kryeministri më ka treguar që mund t’iu konfirmoj që ka pasur biseda në nivelin më të lartë, më tepër do të shohim shumë shpejt, po këto janë edhe çështje delikate. Kryeministri ka marrë premtime se do të jenë tepër të kujdesshëm autoritetet e Maqedonisë, i kanë disa çështje ligjore, por do të jenë të kujdesshëm. Kjo është ajo çka kam biseduar edhe dje edhe sot edhe në ditët e kaluara. Ne derisa ta kemi Tomorin këtu nuk mund të qetësohemi, por unë e kam një bindje që autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk do të bëjnë diçka çka nuk e bënë kurrkush në botë”, u shpreh ai.

Në emër të familjes së Tomor Morinës, ka folur Gurakuq Dobruna, i cili tha se janë më shumë të brengosur sot për Tomorin sesa kur kishte qenë në luftë.

Ai tha se një luftëtar shembullor siç ka qenë Tomor Morina duhet të mbrohet fuqishëm nga institucionet e Kosovës.

“Në emër të familjes së Tomorit jemi të brengosur për fatin e Tomorit, më shumë jemi të brengosur sot se dje kur ishte në luftë, sepse ai që i ka provuar burgjet sllave e kupton më së miri këtë ndjenjë tonën. Tani po flitet shumë se kemi 100 përqind shtet, 100 përqind liri, por liria nuk është e plotë nëse liria e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës nuk është ngritur deri në fund. Po flitet se po mbrohen vlerat e luftës, e tani dua t’iu them a ka vlerë më të madhe se një luftëtar shembullor siç ishte Tomor Morina, kur iu përgjigj ftesës u nis në luftë, përfundoi lufta, dorëzoi uniformën me nder dhe kjo vlerë duhet të mbrohet jo në mënyrë klandestine nga shteti jonë, por duhet fuqishëm të mbrohet në mënyrë institucionale. Reagimet nga shteti jonë janë të vakëta si nga Kosova, si nga Shqipëria. Për ironi të fatit  Millosheviqi para 20 viteve dha urdhër që të vendosen topat mbi Gjakovë dhe të shkatërrohet ky qytet për arsye të shumta. Për ironi të fatit listat e Millosheviqit ende mbesin peng i lëvizjes së lirë së qytetarëve tanë”, tha ai.

Kurse, kryetari i OVL UÇK-së dega në Gjakovë Sadri Hoxha, tha se i bënë apel ministrisë së Punëve të Jashtme që të merret me këtë rast, në mënyrë që sa më shpejt Tomor Morina t’i kthehet familjes.

“Ne sot kemi dal këtu t’i themi jo ekstradimit të Tomor Morinës, jo i kemi thënë Serbisë Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 1999 dhe do t’i themi jo gjithë jetën. Ne kemi besim tek institucionet tona që të bëjnë për cdo ushtar, për cdo qytetar. Bëjë apel që ministri i Kosovës i Jashtëm të merret me këtë çështje, e mos të dalim ne rrugës sikur kemi dal që 20 vite për padrejtësitë që i bënë Serbia. Apeloj që sa më shpejt ai të kthehet në shtëpinë e vet, se UCK nuk ka bërë krime sa kanë bërë Serbia, ne e kemi bërë një luftë të pastër, një luftë çlirimtare”, tha ai.

Shteti i Serbisë i ka dorëzuar kërkesën Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e Tomor Morinës, por vendimin përfundimtar rreth kësaj kërkesë do ta marrë ministri maqedonas i Drejtësisë./KosovaPress/