Gjenerali Clark: Qytetarët e Kosovës janë shembull i fortë për të gjithë botën

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur në vizitë ish-gjeneralin që udhëhoqi bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe në luftën e fundit në Kosovë, Wesley Clark.

Në fjalën e tij, Mehaj ka thënë se populli i Kosovës është shumë mirënjohës për të gjithë kontributin e gjeneralit Clark.

“Edhe një herë dua t’ju falënderoj në emër të Kosovës dhe popullit të saj, faleminderit dhe ju uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj të dytë”, ka thënë Mehaj, transmeton lajmi.net.

Në anën tjetër, gjenerali Clark ka thënë se është shumë mirënjohës për mikpritjen që ka në Kosovë.

“Dua të falënderoj ministrin dhe trupat e FSK-së për pritjen e ngrohtë. Kjo është mundësia e parë që kam pasur për ta vizituar këtë ministri, pas viteve të tëra që kam shikuar Kosovën duke u zhvilluar. Shpresoj që mirëqenia ekonomike për qytetarët e Kosovës të rritet. Qytetarët e Kosovës janë një shembull i fortë për gjithë botën se çfarë bën për shtetin përkushtimi që të jetohet dhe të punohet në demokraci”, ka thënë gjenerali Clark.

Wesley Clark ka arritur sot në Kosovë, ku është pritur me nderimet më të larta ushtarake nga FSK-ja dhe nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.