Gjermania shënon rënie të rasteve të reja të virusit për të tretën ditë me radhë

Numri i rasteve të reja të infektimeve me koronavirus gjatë periudhës 24-orëshe në Gjermani ka shënuar rënie për të tretën ditë me radhë.

Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara janë shënuar 2,537 raste të reja, gati 300 më pak se në ditën paraprake. Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 123,016.

Numri i viktimave u rrit për 126 për një ditë dhe tash shifra e përgjithshme e të vdekurve nga koronavirusi në Gjermani është 2,799 persona, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Gjermania është ndër shtetet evropiane me numrin më të lartë të të prekurve nga virusi, por vazhdimisht është dalluar për numër relativisht të vogël të rasteve fatale në krahasim me numrin e popullsisë dhe në krahasim me shtetet e tjera, si Italia, Spanja, Franca dhe Britania e Madhe.