Gjini për Vetëvendosjen: Nëse duan të shkojmë në zgjedhje, shkojmë

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se partia e tij nuk ka votë dhe as nuk do t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit në seancën ku do të votohet për presidente të Kosovës.

Gjini tha se i takon Vetëvendosjes t’ia sigurojë votat Osmanit.

“Partia fituese mund ta bëjë qeverinë qartë, por i duhen vota për presidentin dhe në këto rrethana partia fituese duhet të gjejë mënyrë për t’i gjetur votat që i mungojnë sepse nuk i ka fituar krejt – nuk e ka fituar të drejtën për ta zgjedhur presidentin”, tha ai në Klan Kosova.

“Qëndrimi në sallë nënkupton votë për presidentin dhe AAK nuk ka votë të tillë”, theksoi ai.

Gjini ka thënë se AAK është e gatshme për zgjedhje të reja.

“Nuk kemi frikë të shkojmë në zgjedhje. Kemi pasë performancën që s’e kemi dëshiruar në zgjedhjet e fundit. Edhe partia fituese duhet të nxjerrë mësim nga zgjedhjet e fundit, pavarësisht rezultatit jashtëzakonisht të mirë që e kanë arritur.”

“Zgjedhjet nuk janë të mira për asnjë parti, as për popullin, por nuk mendoj se ka argument që një parti [Lëvizja Vetëvendosje] t’i kërcënojë partitë tjera me zgjedhje. Nëse do të shkojmë në zgjedhje edhe mund të shkojmë”, tha ai.