Gjoshi: Kurti u bashkua me Vuçiqin, Rakiqin e Radojçiqin kundër UÇK-së

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti është bashkuar me Aleksandër Vuçiqin, Goran Rakiqin dhe Milan Radojçiqin në betejën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai këtë deklaratë e bëri pasi sot u miratua Ligji për Pagën Minimale në Kosovë ku u përjashtuan veteranët e UÇK-së.

“Albin Kurti është bërë bashkë me Aleksandër Vuçiqin, Goran Rakiqin e Milan Radojçiqin në betejën e tij kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dikur këtë betejë e bënte si opozitar përmes shpifjeve e thirrjeve “Hashim, shko në Hagë”, e sot si Kryeministër e bënë me vendime qeveritare dhe ligje. Asnjë nga këto nuk është e rastësishme. Nuk është as e rastit që Ministrja e tij e Jashtme, Donika Shwarz, nuk e përmendi askund UÇK-në në Ditën e Çlirimit. Të gjitha këto janë beteja kundër UÇK-së.”, ka shkruar Gjoshi.