Gjoshi: VV-ja po pengon nisjen e votimit nga diaspora, janë të tmerruar nga mbështetja e diasporës për PDK-në

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka akuzuar dy anëtarët e LVV-së në KQZ se po pengojnë fillimin e votimit nga diaspora, i cili është dashur të niste nga sot.

Gjoshi ka thënë se LVV-ja po pengon nisjen e votimit nga diaspora, pasi sipas tij, po frikësohen nga mbështetja e diasporës për PDK-në.

“Të tmerruar nga angazhimi i jashtëzakonshëm i PDK-së në diasporë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti me dy anëtarët e tyre në KQZ, po pengojnë fillimin e votimit për bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim. Me të filluar dita e sotme, në orën 00:01 KQZ-ja është dashur ta publikonte fletëvotimin e zgjedhjeve që diaspora të fillojë votimin”, ka shkruar Gjoshi.

Sipas tij, përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ e kanë bllokuar këtë institucion, duke mos lejuar aprovimin e fletëvotimit dhe broshurës së kandidatëve për deputetë.

“Në kundërshtim të plotë me ligjin dhe rregullat e KQZ-së, përfaqësuesit e VV-së në KQZ po duan që në broshurat e kandidatëve të paraqiten numrat e kandidatëve të paçertifikuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme. Këta njerëz nuk janë të interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve. Këta njerëz nuk janë të interesuar as për votimin e diasporës. Këta njerëz po duan t’i shkatërrojnë zgjedhjet”, ka thënë Gjoshi.