Gjykata Speciale flet për deklaratat e Bashotës

Ish-zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Bashota, është intervistuar për dy ditë rresht nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Pas kthimit në Prishtinë, Bashota ka thënë se është i shqetësuar, meqë siç pretendon ai, Gjykata Speciale i ka ofruar diçka që do të mund t’i konvenonte vetë Bashotës, por që do të dëmtonte imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë isha në Hagë dhe jam intervistuar dy ditë si i dyshuar, dhe jam përgjigjur në pyetjet të cilat kanë qenë të favorshme për mua. Por, ajo që më ka shqetësuar mua, një precedent është se atje më është ofruar një marrëveshje e cila do të ishte e favorshme për mua por që do të mund të dëmtonte kauzën e UÇK-së dhe të tjerët”, kishte deklaruar Bashota për RTK-në pas kthimit nga Haga.

Lidhur me këto deklarata të Bashotës në një përgjigje për ‘Gazetën Express’, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christofor Bennett, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar asnjëherë nuk ka ndarë detaje dhe nuk i ka komentuar hetimet që i kryen.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar në asnjë fazë nuk ka dhënë hollësi dhe nuk i ka komentuar hetimet e veta, përpos që e ka nisur mandatin e saj”, ka thënë Bennett i pyetur nga Gazeta Express nëse vërtetë Gjykata Speciale ka ofruar diçka, siç pretendon ish-komandanti i UÇK-së, Sokol Bashota.

Tutje zëdhënësi i Gjykatës Speciale ka thënë se detyra e tyre është që t’i marrin në pyetje të dyshuarit, viktimat e dëshmitarët, për të grumbulluar të dhëna të cilat do të mund të çojnë në fillimin, vazhdimin apo mbylljen e hetimeve.