Gjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend, ministrit Sveçla dhe tre deputetëve të VV-së iu parashkruhet njëra vepër penale

Në gjykimin ndaj ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetë të Vetëvendosjes, të cilët po akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2018, gjykatësi Sabit Sadiku bëri të ditur se të akuzuarve iu ka parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Këtë gjë, gjykatësi Sabiti e bëri të ditur me të filluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai tha se vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” pretendohet se është kryer më 21 mars 2018, kurse parashkrimi ka arritur më 21 mars 2024.

Gjykimi vazhdon për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e 6 shkurtit dhe ajo e 1 marsit ishin shtyrë në mungesë të të akuzuarës Millaku.