Hajdari për Metën: “Nuk ka shanse ta shpërndajë parlamentin, më mirë t’i thotë burgut hapu”

Rudina Hajdari duke folur mbi çështjet e rendit të ditës sot gjatë seancës plenare në parlament, nuk ka lënë pa përmendur edhe rolin e Presidentit Meta në krizën aktuale që ka përfshirë politikën në vend.

Hajdari tha se nëse ndokush trembet se Meta mund të shpërndajë parlamentin e ka gabim, pasi Presidenti nuk e ka tagër ligjor këtë akt dhe nëse e bën, më mirë t’i thotë: “burgut hapu!”.

“Përsa i përket Kodit Penal, që është shtuar një nen, dhe që do të na jepet kohë për ta shqyrtuar. Uroj që ta kemi kohën, pasi nenin 43, pika 1, tregon se merr përsipër që të ndalojnë shqiptarët që të udhëtojnë jashtë nga 5-10 vite nëse mundohen të prishin zgjedhjet. Ju kujtoj që Kodi Penal që parashikon nen të posaçëm, kemi një dënim dhe nuk na duhet një dënim shtesë. Unë e cilësoj si ajo rezolutë që erdhi para një jave, i hodhi benzinë zjarrit. Nëse mendoni se presidenti do të shpërndajë parlamentin, ti thotë burgut hapu. Nuk e ka për kompetencë. Përsa i përket vendimit për të shtuar këtë nen. Ironi është që edhe vetë zoti Braho e kundërshtoi këtë. Imagjinoni ku ka arritur Kuvendi. Po një individ ka probleme shëndetësore do të ndaloni që të dalë jashtë vendit. Nuk e kam parë në asnjë vend të BE-së”, u shpreh Hajdari nga foltorja e parlamentit.