Hakerët publikojnë të dhënat personale të Edi Ramës

Në postimin e radhës në faqen “Homeland Justice” janë publikuar hyrje-daljet dhe letërnjoftimet e kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Materiali i publikuar është shoqëruar edhe me një mesazh: “Zoti kryeministër i Shqipërisë, a i keni treguar popullit tuaj se taksat që ata paguajnë përdoren për të strehuar terroristët e MEK në Durrës? A po iu jepet shqiptarëve njësoj tokë, shtëpi, ushqim dhe karburant falas”, shkruan në mesazhin e publikuar nga hakerët në “Homeland Justice”.

“Euronews Albania” raportoi se materiali i publikuar këtë të enjte është identik me ato të publikuara më herët nga hakerët; hyrje-daljet e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, ku këtë radhë janë hyrje-daljet në vite të kryeministrit Edi Rama dhe letërnjoftimet me të dhënat personale.

Është i njëjti material konfidencial i publikuar më herët për ish-kreun e policisë së shtetit, Gledis Nano dhe kreun e SHISH, Helidon Bendo.

Publikimi i radhës vjen në vazhdën e publikimeve të mëhershme të të dhënave konfidenciale të nxjerra nga sistemet e institucioneve shqiptare.

Më herët hakerët kanë publikuar lista të tjera, të cilat kishin në shënjestër punonjës të Policisë së Shtetit.

Që prej vitit 2021, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platforma e shërbimeve online e-Albania.

Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.