Haliti: Fondi i Sigurisë nuk do të ketë përkrahje nga ndërkombëtarët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për Fondin e Sigurisë, të krijuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se Kosova i ka 2 mundësi, të krijohet një fond i besueshëm dhe i kontrolluar shumë për diasporën dhe sipas tij, brenda vendit, shteti duhet të vendosë taksë për të krijuar fond të veçantë.

Haliti tha se Fondi i Sigurisë nuk mund të jetë i suksesshëm dhe nuk mund të ketë përkrahjen e mekanizmave të ndërkombëtarëve.

“Unë nuk besoj që mund të jetë i suksesshëm dhe nuk besoj që mund të ketë përkrahjen nga mekanizmat e ndërkombëtarëve. Unë nuk i besoj kryeministrit kur thotë se ka pasur konsultime me ndërkombëtarët, sepse ai është dashur ta mbledhë Këshillin Kombëtar, kryetarët e partive politike në mënyrë që të mos i futë në lajthitje”, është shprehur Haliti.

Për Halitin, Kosova është “El Dorado” për investitorët, për të pasur biznes e për ta zhvilluar atë, teksa tha se ka degjuar se Fondi i Sigurisë është në kundërshtim me rregullat, tha ai në Klan Kosova.

“Unë nuk i kamë parë letrat, i kam dëgjuar sot që është në kundërshtim me rregullat, m’i kanë mbushur veshët. Për t’u përgjigj në anën ligjore është dashur të konsultohem sot e dje me ligjin dhe me e mbështet njërën palë, por, po besoj se Kosova është “El Dorado” për investitorët, për të pasur biznes dhe për ta zhvilluar atë”, është shprehur Haliti.