Haliti: Kurti është dashur ta nënshkruaj marrëveshjen, Asociacioni është detyrim i Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan të hënën me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

Kosova dhe Serbia ranë në ujdi për propozimin evropian duke thënë se duhen bisedime për zbatimin e tij, opozita ka reaguar me kritika ndaj kryeministrit Kurti.

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha se Kurti është dashur ta nënshkruaj planin franko-gjerman.

Haliti tha për Front Online se Qeveria ka vetëm një detyrim për Asociacionin.

“Të dy palët janë deklaruar për marrëveshjen e BE-së, por nuk është nënshkruar. Albin Kurti është dashur ta hedhë firmën në këtë marrëveshje pa marr parasysh a e nënshkruan Vuçiqi apo jo. Asociacioni është çështje e Kurtit, ai e ka pasur kauzë por është nënshkruar si marrëveshje, tani duhet me bërë statut ky është detyrimi i qeverisë së Kosovës. Statuti duhet me qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Haliti.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë mbrëmë se me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen, por parasheh zbatimin e marrëveshjeje për Asociacionin.

Ndërkaq, mendim ndryshe shprehu kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.