Hamdi Salihi ka paralajmëruar pensionimin

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, ka njoftuar se ka vendosur të pensionohet nga futbolli aktiv.

Sulmuesi i Neustadtit në Austri përmes një njoftimi në rrjete sociale ka thënë se ndeshja me Wacker Innsbruck më 30 mars do të jetë e fundit për të.

Ai në një postim të gjatë ka falënderuar familjen dhe bashkëlojtarët.

Në fund ai nuk ka pranuar të thotë fjalën “Fund” për karrierë, por ka paralajmëruar një “Fillim të ri”.

“Duke mos e menduar veten asnjëherë larg futbollit edhe në të ardhmen, është e natyrshme që edhe ky vendim i imi nuk ka ardhur sot për nesër. Gjatë viteve të fundit krahas futbollit të luajtur, kam lexuar, studiuar dhe mbajtur shënime që besoj se do të jenë shumë të vlefshme për të ardhmen time në futboll.

Prandaj nga që fjala Fund më duket shumë e rëndë, dua që këtë moment ta shikoj si një Fillim të ri të një karriere që shpresoj të më dhurojë të njëjtat emocione me ata që kam kaluar deri tani duke luajtur në fushë”, ka thënë ai.