Hapet për herë të parë mësonjëtorja shqipe në Spanjë

Për herë të parë, u hap sot shkolla për mësimin e gjuhës shqipe në Madrid të Spanjës, e cila do të ketë 25 nxënës dhe do të fillojë programin e saj nën kujdesin e veçantë të ambasadorit atje, Gazmend Barbullushi.

Qendra e Botimeve për Diasporën, nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Diasporën ka dërguar falas tekstet e nevojshme për mësimdhënien.

Dita e parë mblodhi së bashku familje nga të gjitha trevat shqipfolëse, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Disa familje erdhën nga skajet më të largëta të Spanjës për gëzimin e kësaj dite të veçantë.

Tashmë fëmijët në Madrid dhe më tej, do të kenë një kënd ku të flasin dhe të luajnë me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe.