Haradinaj: Blaka, kandidat nga AAK për kryetar të Istogut

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në një takim me aktivistë të këtij subjekti politik në komunën e Istogut.

Haradinaj me këtë rast ka takuar edhe aktivistë të AAK-së nga diaspora të cilët ndodhen për pushime në Kosovë. Gjithashtu, përmes profilit të tij në Facebook, Haradinaj ka njoftuar për kandidaturën e Ukë Blaka për kryetar të Istogut.

“Iu bashkova sot në Istog, deputetit Bekë Berisha dhe kryetarit të Aleancës për Gjermani, Ukë Blaka në takim me aktivistë të Aleancës në këtë qytet. Gjithashtu, një rast i mirë të takoj aktivistë të Aleancës nga diaspora të cilët janë me pushime në atdhe. Njerëz me vlera e të zotë, me suksese të dukshme në shumë fusha. Me kënaqësi e urova z. Ukë Blaka për shpalljen e kandidaturës për kryetar të Istogut”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se me punë të përbashkët Istogut dhe gjithë Kosovës do t’u kthehet perspektiva.

“Jam i bindur që puna e përbashkët e gjithë aktivistëve dhe strukturave të Aleancës, do të rezultojë pozitivisht, që Istogut dhe gjithë Kosovës t’i kthehet perspektiva për zhvillim dhe për arritje të reja”, është shprehur Haradinaj.