Haradinaj fton Prokurorinë për hetime: Ka dyshime serioze që qytetarët janë vjedhur në faturat e rrymës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka ftuar Prokurorinë e shtetit që të bëjë hetime rreth faturimit të energjisë elektrike.

Për shkak të dyshimeve se energjia elektrike qytetarëve iu është faturuar e fryrë dhe përtej çdo tarife, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ftuar Prokurorinë e shtetit që të bëjë hetime për këtë çështje.

Tutje Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ka dyshime serioze që qytetarët janë vjedhur.

Postimi i plotë i Haradinajt, pa ndërhyrje:

​ Ftoj Prokurorinë të hetojë fryerjen e faturave të energjisë

Kryeministër kriza energjetike në Kosovë nuk zgjidhet me punësimin enorm të militantëve partiakë e as të atyre që sipas teje janë për dasma e kanagjegje.

A je i vetëdijshëm se faturat e energjisë pas shtrenjtimit në shumë raste e tejkalojnë dyfishin, e ka dyshime serioze se ato janë fryrë përtej çdo tarife, kategorie apo kriteri.

Sot kur është e qartë se qytetarët kanë mbetur krejtësisht vetëm, ftoj organet e hetuesisë që krahas hetimeve për punësime abuzive në KEK, të fillojnë hetimet edhe për faturat e fundit të energjisë.

Ka dyshime serioze që qytetarët janë vjedhur.