Haradinaj me akuza të forta: Albin Kurti është i kurdisur nga Serbia, në Maqedoni i shërbeu Rusisë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se “ndërhyrja” e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut është “shërbim i agjendës ruse dhe serbe”.

Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se veprimi i Kurtit është rrezik dhe se kështu “prishet Ballkani”.

Haradinaj madje pati edhe akuza të forta, duke thënë se Kurti është i kurdisur nga Serbia.

“Unë besoj që Kurti është i kurdisur, neve na e kanë sjellë këtë njeri të kurdisur me na vonu në anëtarësimin në NATO, nga integrimi euro-atlantik. Na e solli Rusia, Serbia..agjenturat”.

“Unë nuk mendoj që ka të bëjë fare me shqiptarët e Maqedonisë, Albini s’po shkon me ndihmu një krah, as nuk mundet me dobësu Ali Ahmetin sepse ai është politikan serioz. Ai po shkon vetëm me ja hap dyert Serbisë në kërkesat jolegjitime ndaj nesh e pastaj me na u lëshu në shpinë krejt aleatët tanë. Edhe pasi të shkon Kurti kanë me na thanë kryeministri juaj ka bo fushatë në shtete fqinje”, tha Haradinaj ‘T7’.

“Është rrezik ça po bën. Agjenda serbe, agjenda ruse, si të kërkon Sveçla me shku në Preshevë është agjenda ruse”.

“Është agjenda e tyre destabilizimi i Maqedonisë, ndërhyrja prej shtetit në shtet e kryeministrave në fushata ja legjitimon Vuçiqit me shku në Mal të Zi te serbët e vet, ti je ka e prish Ballkanin”, tha ai.

Ndër të tjera ai tha: “Duhet të kemi lidership që e don shtetin e jo vetën. Jo lidership që shkon me marrë foto për mi marrë votat”.

“Nëse ne mbesim në tavolinën e destabilizuesve do ta kemi problem”, u shpreh Haradinaj në T7.