Haradinaj me kundërpërgjigje ndaj Erdogan

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj iu kundërpërgjigj komenteve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke thënë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, dhe se këtë duhet ta dinë të gjithë.
Këto komente, ai i bëri në promovimin e kuzhinës tipike shqiptare “Shije Shqiptare”, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
“Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’iu them është se nuk na njohin. Atëherë iu mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre, e bëjnë mirë të na njohin, se kurrë nuk është në traditën tonë të ndërhyjmë në punët e shtëpisë të dikujt tjetër. Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emrin tonë. Në Kosovë do t’i bëjmë vetëm ne, kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, tha Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.