Haradinaj merr vendim që të tërhiqet Projektligji për Financimin e Partive Politike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar që të tërhiqet në mbledhjen e radhës të Qeverisë, Projektligji për Financimin e Partive Politike.

Ky vendim i tij vjen pas shqetësimeve e protestave nga Shoqëria Civile.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqëria Civile sa i përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në Komisionet Parlamentare, kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës.

Duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, nevojës së transparencës në funksion të politikbërjes dhe përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij, tërheqja e projektligjit dhe ridërgimi i tij, me bazë të mirë ligjore dhe demokratike, është veprim i duhur” shkruan Haradinaj në njoftim.