Haradinaj: Ndihem i shqetësuar për trajtimin jo të dinjitetshëm të FSK-së nga qeveria Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e certifikimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka kritikuar qeverinë Kurti për “trajtim jo të dinjitetshëm të Forcës”.

“Është mahnitëse gatishmëria e të rinjve tanë për të shërbyer për Atdheun. Sot u certifikuan edhe 325 ushtarë të rinj. Me këtë rast, uroj shumë suksese për ta, në këtë rrugë fisnike”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Haradinaj ka thënë se me përkushtim të madh, “kam qenë gjithmonë në përkrahje të Forcave të Sigurisë, e po me atë përkushtim, ngritëm statusin e Forcës në Ushtri, me përkrahje të aleatëve”.

“Por, sot ndjehem i shqetësuar për trajtimin jo të dinjitetshëm të Forcës nga qeveria aktuale. Me dhjetëra miliona euro të buxhetit, u humbën këtë vit, për shkak të papërgjegjësisë qeveritare. Këto veprime të qeverisë, cungojnë kapacitetet tona të sigurisë. Kosova do të hyjë në vitin që po vjen, me 58 milionë euro më pak armatim, municion e mjete ushtarake. Përpos vullnetit qytetar për të shërbyer, siguria e vendit kërkon përkushtim madhor dhe serioz të qeverisë”, ka shkruar Haradinaj.