Haradinaj: Në Paris do të angazhohemi që izolimit të Kosovës t’i vije fundi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Paris.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj, ka thënë se në Paris ka shkuar me të vetmin mision, atë të avancimit dhe përshpejtimit të agjendës për liberalizimin e vizave.

Sipas Haradinajt, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që i ka vendosur Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.

“Populli i Kosovës duhet trajtuar si gjithë popujt tjerë, pa dallime, në lëvizjen e lirë. Kosova ka përmbushur secilin kriter të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe tash është koha e fundit për reflektim dhe vendim të merituar për kosovarët”, ka shkruar Haradinaj ndër të tjera.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Sot, udhëtova për vizitë zyrtare në Paris, më të vetmin mision, avancimin dhe shpejtimin e agjendës për liberalizimin e vizave.

Si një e drejtë e mohuar për qytetarët tanë, do të angazhohemi fuqimisht që izolimit të Shtetit më të ri në rajon, t’i vije fundi.

Populli i Kosovës duhet trajtuar si gjithë popujt tjerë, pa dallime, në lëvizjen e lirë.

Kosova ka përmbushur secilin kriter të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe tash është koha e fundit për reflektim dhe vendim të merituar për kosovarët!.