Haradinaj për qeverisjen e Kurtit: Ktheu vendin prapa, krimi u rrit, u dobësua rendi e ligji

Në 2-vjetorin e fitores në zgjedhje nga Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, të pakta janë të arriturat që po vlerësohen nga opozita e vendit.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për lajmi.net nuk ka kursyer kritikat ndaj kryeministrit Kurti në aspektin e sigurisë së vendit por edhe në raport me marrëdhëniet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë.

Haradinaj ka deklaruar se kjo qeverisje ka arritur ta kthejë Kosovën mbrapa në shumë drejtime.

“Kjo qeverisje ka mbërri me kthy Kosovën mbrapa në shumë drejtime, në shumë plane. Të parat janë këto temat e mëdha, pra planet e sigurisë. E ka dobësu realisht, shihet një rritje e krimit, lexojmë përditë duke e dobësu krejt sistemin e rendit dhe ligjit. Sidomos me këto goditjet në paga e beneficione të tjera të atyre që mbajnë rendin dhe ligjin, ruajnë jetën e njerëzve tonë, t’pronës e t’vlerave tona jetësore, është një kthim mbrapa”, ka thënë ai.

Kreu i AAK-së ka deklaruar se ai personalisht ju shpreh mirënjohje të gjithë atyre që janë të angazhuar në fushën e sigurisë, e që mbrojnë jetët e qytetarëve dhe shtetin tonë, por se ka thënë se nga Qeveria aktuale vërehet një zbehje e kujdesit edhe ndaj ushtrisë sonë.

“Duhet ta themi se nuk është një ecje e mirë në planin e sigurisë së brendshme dhe është një kthim mbrapa si në rastin në veri e raste të tjera, apo situata në veri”, ka deklaruar ai.

Tutje, Haradinaj ka kritikuar edhe qasjen e Kurtit në raport me ndërkombëtaret dhe pozicionin e Kosovës tek miqtë ndërkombëtarë.

“Në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare është kthim mbrapa sepse ka mbërri me na kthy në palë konfliktuoze e në raste të caktume ‘të papërgjegjshme’, sidomos për aleatët tonë të sigurisë. Me Amerikën komunikimi është mjaft i zbehtë, bashkëpunimi është mjaft i zbehtë. Edhe me aleatët e tjerë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë e vendet e tjera”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka folur për qeverisjen e Kurtit edhe në drejtime të tjera, ndërsa është shprehur i bindur se kryeministri nuk do ta mbarojë mandatin e tij të rregullt, duke aluduar në dorëheqjen e Kurtit nga pozita e kryeministrit.