Haradinaj për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve nga Kurti: Ndalu po e shkatërron sistemin e drejtësisë

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi që Qeveria Kurti po tenton që të ulë pagat e punëtorëve të drejtësisë.

Ai ka thënë se me këtë veprim Albin Kurti po e shkatërron sistemin e drejtësisë, transmeton Fokusi.info.

Haradinaj ka thënë se Kurti e ka marrë mision shkatërrimin e shtetit.

“Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë. Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara. Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit. Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia.
Nëse nuk ndalesh pasojat do të jenë të pariparueshme!”, ka shkruar ai.